Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve franceze, pjesëtarë të trupit diplomatik, studiues, gazetarë dhe bashkatdhetarë. Programi u hap me fjalët përshëndetëse të Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Francë, z. Mehdi Halimi, dhe Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, ndërsa u shoqërua me interpretim të muzikës klasike dhe burimore shqiptare.
Me këtë rast, Drejtori Ekzekutiv i IKKL-së prezantoi misionin dhe aktivitetet e Institutit, me theks te dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, ruajtja e kujtesës dhe rëndësia e fakteve për ndërtimin e një memorieje të qëndrueshme institucionale. Para të pranishmëve u hap edhe ekspozita “Helmimet në Kosovë 1990–1992”, e cila përmes dokumenteve, fotografive, dëshmive mjekësore dhe materialeve arkivore trajton kapitullin e helmimeve masive të nxënësve dhe popullatës shqiptare gjatë viteve ’90. Gjatë qëndrimit në Francë, përfaqësuesit e Institutit zhvilluan takime edhe me përfaqësues të organizatave dhe veprimtarë të komunitetit shqiptar, të cilët posedojnë materiale për dokumentimin e krimeve të luftës. Këto takime synojnë pasurimin e arkivës së Institutit dhe zgjerimin e bashkëpunimit në mbledhjen e dëshmive.
Vizita në Francë ishte pjesë e angazhimeve të IKKL-së për prezantimin ndërkombëtar të veprimtarisë së Institutit, zgjerimin e bashkëpunimit me partnerë dhe kontribuimin në ruajtjen e kujtesës mbi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.






