Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Stafi i IKKL-së ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Rozhajë, me fokus në dokumentimin dhe sigurimin e materialeve arkivore që lidhen me eksodin e vitit 1999 dhe trajtimin e të dëbuarve nga Kosova.

Vizita nisi në Komunën e Rozhajës, ku delegacioni u prit nga Kryetari i Kuvendit Komunal, z. Almir Avdiq. Gjatë takimit, u vlerësua puna e institutit dhe u shpreh gatishmëri e plotë për bashkëpunim institucional, me theks në identifikimin dhe sigurimin e materialeve dhe dëshmive me rëndësi për dokumentimin e kësaj periudhe. Nga ana e IKKL-së u prezantua misioni dhe aktivitetet në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Më pas, delegacioni zhvilloi takim me z. Ferid Kardoviq, drejtor i Foto DVD “Ferko”, i cili posedon mbi 100 orë incizime video që dokumentojnë të dëbuarit nga Kosova në Rozhajë gjatë periudhës mars–qershor 1999. Në këtë takim u nënshkrua procesverbali i dorëzim-pranimit të materialeve arkivore dhe u dakordua dorëzimi i tyre në Institut.

Në vijim, u zhvillua takim me z. Shemso Dedeiq, shef i stacionit policor në Njësinë e Sigurimit Shtetëror në Rozhajë, ku u vlerësua kontributi i tij në mbrojtjen dhe përkrahjen e të dëbuarve nga Kosova gjatë viteve 1998–1999.

Në Bashkësinë Islame të Rozhajës, delegacioni u prit nga kryetari z. Ernad Ramović, kryeimami Rejhan Hot dhe sekretari Ramiz Luboder. Gjatë takimit u prezantua puna e institutit dhe u shpreh gatishmëri për dorëzimin e materialeve arkivore që lidhen me eksodin e vitit 1999, duke u nënshkruar gjithashtu procesverbali i dorëzim-pranimit.

Janë zhvilluar gjithashtu takime me z. Xhevat Bralliq, një nga kontribuesit kryesorë në ndihmën dhe trajtimin e të dëbuarve gjatë eksodit të vitit 1999, i cili shprehu gatishmëri për të ndihmuar në sigurimin dhe dokumentimin e materialeve dhe dëshmive të kësaj periudhe, si dhe me ish-kryetarin e Komunës së Rozhajës, z. Nusret Kalaç, i cili gjithashtu u tregua i gatshëm për bashkëpunim në mbështetje të dokumentimit historik.

Një takim u zhvillua edhe me Kryqin e Kuq në Rozhajë, ku sekretari z. Xhemil Ademagiq shprehu gatishmëri për bashkëpunim dhe ofrimin e informacioneve dhe dokumenteve relevante.

IKKL shpreh falënderim të veçantë për z. Haxhi Lajqi për mbështetjen dhe kontributin e dhënë në realizimin e kësaj vizite dhe forcimin e këtij bashkëpunimi.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors