Përfaqësues të IKKL-së morën pjesë në aktivitetet përkujtimore kushtuar dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares: Afrim Krasniqi, Ramush Shatrolli, Florin Maliqi dhe Liman Reka, duke nderuar sakrificën dhe kontributin e tyre për lirinë e vendit.
Stafi i IKKL-së realizoi takim me z. Aziz Bici, i cili dorëzoi materiale që lidhen me babanë e tij të vrarë gjatë luftës dhe nënshkroi procesverbalin e dorëzim-pranimit. Gjatë vizitës, ai pati mundësinë të njihet nga afër me organizimin dhe punën e arkivit të Institutit.
Po ashtu, Drejtori Ekzekutiv i IKKL-së zhvilloi takim me prof. Sylë Ukshini nga Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, me ç’rast u nënshkrua procesverbali për dorëzim-pranim të materialeve arkivore që lidhen me luftën e Kosovës 1998–1999.
Ndërkaq, z. Ismet Kurteshi dorëzoi dokumente dhe fotografi që pasqyrojnë krimet ekonomike të kryera gjatë luftës nga regjimi serb, ndërsa gjatë vizitës tek ish-kryetari i Këshillit të Emergjencave për rajonin e Gjilanit, z. Ismajl Kurteshi, Instituti pranoi materiale dhe lista të ndryshme nga periudha e luftës në këtë rajon.
Gjatë javës, veterani i UÇK-së, z. Bashkim Fazliu “Mixheni”, dorëzoi dëshmi të rëndësishme që lidhen me masakrën e Reçakut, duke kontribuar në ruajtjen e së vërtetës dhe kujtesës historike për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
IKKL shpreh mirënjohje për secilin kontribuues dhe fton të gjithë qytetarët që posedojnë dokumente, fotografi apo dëshmi nga periudha e luftës t’i dorëzojnë në Institut. Çdo material i ruajtur është një kontribut në dokumentimin e së vërtetës, drejtësisë dhe kujtesës kolektive.




