Takimet u zhvilluan me përfaqësues lokalë, aktivistë dhe dëshmitarë të kohës, nga të cilët u pranuan dëshmi me vlerë të veçantë dokumentare.
Në Çegran, delegacioni u mirëprit nga z. Blerim Ameti (Shoqata Kulturore “Jani Hasani”) dhe z. Fadil Bilalli (Bashkësia Lokale e Çegranit), të cilët shprehën mbështetje për punën e Institutit. Takime u zhvilluan gjithashtu me z. Emshi Ejupi, z. Fadil Xhelili (ish-kryetar i kampit të Çegranit), z. Sami Fetai dhe z. Ibraim Abduraimi, të cilët ndanë dëshmi dhe u zotuan për të kontribuar me materiale relevante për dokumentimin e kësaj periudhe.
Në Gostivar, IKKL u prit në Kryqin e Kuq – dega në Gostivar, nga ku u pranuan materiale që dëshmojnë për përmasat e dëbimit të vitit 1999. Po ashtu, z. Pajtim Saiti kontribuoi me dëshmi dhe fotografi autentike nga kampi i Çegranit. Një kontribut i veçantë erdhi edhe nga z. Osman Demiri, profesor i fotografisë, dhe znj. Vlora Demiri, historiane, të cilët dorëzuan fotografi me vlerë të rëndësishme historike.
Gjatë vizitës, ekipi i IKKL-së vizitoi edhe vendin ku ishte i vendosur kampi i Çegranit, Sheshin “Kosova”, si dhe varrezat e kosovarëve – hapësira që mbeten dëshmi të gjalla të dëbimit të vitit 1999. Shprehim falënderim të veçantë për z. Selajdin Abduli për mbështetjen në organizimin dhe koordinimin e kësaj vizite.
IKKL, në bashkëpunim me dëshmitarë, institucione dhe qytetarë nga vendi dhe rajoni, do të vazhdojë punën për dokumentimin e krimeve të luftës dhe ruajtjen e kujtesës historike.











