Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Gjatë kësaj periudhe, IKKL vazhdon të pasurojë arkivin me dëshmi dhe materiale të rëndësishme që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Z. Skender Dauti nga Komuna e Shtimes nënshkroi procesverbalin e dorëzim-pranimit të materialeve arkivore që dokumentojnë krimet e luftës. Ndërkohë, Hyrë Jasharaj, e mbijetuar e sulmit të forcave serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, e cila në atë kohë ishte vetëm 13-vjeçare, ndau rrëfimin e saj për përvojën personale dhe plagosjen gjatë sulmeve ndaj civilëve.

Kontribut të çmuar dha edhe Dr. Sali Asllani, mjek dhe ish-kryetar i Komunës së Suharekës, i cili dhuroi dy ditarë-libra protokollarë të pacientëve të trajtuar gjatë luftës. Në atë kohë ai kishte shërbyer edhe si ushtar i UÇK-së në spitalin ushtarak.

Z. Shaban Çupi nga Paldënica e Hanit të Elezit, ish i burgosur politik dhe i mbijetuar i masakrës së Dubravës, autor i 22 librave, dhuroi për Institutin 26 libra që trajtojnë krimet e luftës dhe shprehu gatishmëri për bashkëpunim me IKKL-në. Gatishmëri për bashkëpunim ka shprehur edhe kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, z. Mehmet Ballazhi, ish i burgosur politik gjatë regjimit serb në Kosovë.

Gjatë kësaj periudhe, stafi i IKKL-së bëri homazhe në Kotlinë dhe në Kaçanik, pranë varrezave të dëshmorëve, në nderim të Milaim Lokut dhe Emërlla Kuçit.

Arkivi i Institutit u pasurua edhe me fotografi të familjarëve të vrarë gjatë luftës në vitin 1998, të dorëzuara nga z. Haxhi Maliqi. Instituti priti gjithashtu në takim përfaqësuesit e OJQ-së “Aksion Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes”, të kryesuar nga z. Nexhat Ismajli dhe z. Gazmend Murseli.

Një kontribut i rëndësishëm dha edhe z. Ragip Shala, i cili dorëzoi rreth 1,500 anketa dhe dëshmi të personave të dëbuar nga Kosova gjatë luftës. Po ashtu, znj. Teuta Rugova nga Gurakoci i Istogut dorëzoi ditarin e babait të saj, Isuf Kabashit, të mbajtur gjatë kohës së luftës.

IKKL shpreh mirënjohje për secilin kontribuues dhe fton qytetarët që posedojnë dokumente, fotografi apo dëshmi nga periudha e luftës t’i dorëzojnë në Institut. Çdo material i ruajtur është një hap drejt së vërtetës, drejtësisë dhe kujtesës kolektive.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors