Diskutimi trajtoi hetimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë, me theks te bashkëpunimi ndërinstitucional, proceset hetimore, sfidat ligjore dhe përputhja me standardet ndërkombëtare.
Sir Geoffrey Nice, Prokuror i Specializuar, vlerësoi punën e IKKL-së dhe theksoi rëndësinë e mbledhjes së provave në formë të papërpunuar, pa analizë paraprake, për të shmangur ndërhyrjet subjektive. Ai foli për brishtësinë e drejtësisë penale ndërkombëtare dhe ndikimin e kufizuar të vullnetit politik, duke nënvizuar se përtej dënimeve, thelbësore mbetet dokumentimi dhe ruajtja e provave për të garantuar një pasqyrë të plotë historike. Përvoja në Reçak u përmend si dëshmi e nevojës për rikthim në terren dhe analizë të detajuar të fakteve.
Ilir Morina, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, evidentoi mungesën e kornizës ligjore të plotë, provave materiale dhe hetuesve të specializuar si pengesa kryesore për aktakuza të qëndrueshme. Ai theksoi nevojën për strategji të koordinuar, forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përdorim të metodave moderne hetimore e forenzike.
Avni Vrajolli, nga Policia e Kosovës, adresoi sfidat operative: distanca kohore nga ngjarjet, mungesa e personelit të specializuar, vdekja apo migrimi i dëshmitarëve, si dhe pamundësia e arrestimit të të dyshuarve që ndodhen jashtë vendit. Ai theksoi konsolidimin e stafit dhe prioritetizimin e rasteve në koordinim me Prokurorinë.
Ditor Haliti, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, foli për procesin e identifikimit të viktimave, duke dalluar metodologjinë tradicionale nga ajo bashkëkohore e bazuar në ADN. Ai nënvizoi rëndësinë e standardeve forenzike dhe rihapjen e rasteve me identifikim të gabueshëm për të rikthyer besimin e familjarëve.
Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, theksoi mungesën e informacionit të besueshëm, mbetjet e paidentifikuara dhe sfidat e bashkëpunimit ndërkufitar, por edhe angazhimin e vazhdueshëm për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur.
Paneli u zhvillua në frymë profesionale, me theks në qasje të koordinuar dhe të mbështetur në standarde ndërkombëtare për trajtimin e krimeve të luftës dhe pasojave të tyre.































