Diskutimi u moderua nga Leonora Vranja, e cila udhëhoqi sesionin në mënyrë të strukturuar, duke nxitur dialog për viktimat e dhunës seksuale.
Në panelin e gjashtë u trajtuan qasjet institucionale dhe organizative në adresimin, rehabilitimin dhe njohjen e viktimave të përdhunimit dhe dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Diskutimi u përqendrua në përvoja praktike dhe sfida që lidhen me ofrimin e mbështetjes për të mbijetuarit.
Dr. Feride Rushiti ka theksuar rolin kyç të KRCT-së në rehabilitimin mjekësor dhe psiko-social të viktimave të dhunës seksuale, duke trajtuar rrefimet e grave dhe burrave pa paragjykim dhe pa stigmatizim. Organizata ka zbatuar praktika multidisiplinare dhe një model trajtimi bazuar në besim, ka dokumentuar plagët e luftës në mënyrë institucionale dhe ka përballuar sfidat e procesit të gjatë të verifikimit, duke kontribuar në drejtësinë transicionale dhe fuqizimin e viktimave.
Veprore Shehu theksoi se dhuna seksuale u përdor si mjet lufte për spastrim etnik. Kjo shkaktoi trauma kolektive tek viktimat. Shtatzënitë e shkaktuara nga përdhunimi ndikuan edhe tek viktimat e mitura. Heshtja kolektive ka vështirësuar identifikimin e tyre, prandaj janë zhvilluar strategji për identifikimin e viktimave. Përdoren qasje ndërdisiplinare për trajtimin e tyre. Bashkëpunimi me institucionet siguron reagim efektiv ndaj kërkesave ligjore. Praktikat synojnë fuqizimin dhe integrimin e viktimave në komunitet.
Mirlinda Sada theksoi se Medica Gjakova fokusohet në trajtimin e pasojave fizike dhe psikologjike të dhunës seksuale, duke ofruar mbështetje afatgjatë për gratë dhe vajzat e mbijetuar. Programet adresojnë ankthin, depresionin dhe efektet e tjera të traumës, përmes seancave psiko-sociale individuale, me partnerin ose brenda familjes. Mbështetja është holistike dhe trajton jo vetëm pasojat e drejtpërdrejta, por edhe strukturat që ndikojnë në shërim, duke aplikuar një qasje të specializuar ndaj traumës.
Anita Istogu theksoi se viktimat e dhunës seksuale përballen me trauma të thella, si dhe me stigmatizimin, paragjykime dhe barriera sociale, përfshirë ndikimin e familjes. Mbështetja psikologjike dhe sociale përmirësohet përmes krijimit të besimit dhe marrëdhënieve të sigurta, orientimit ligjor dhe fuqizimit social-ekonomik. QPDG ka një rol kyç në drejtimin dhe koordinimin e këtyre shërbimeve për të garantuar një mbështetje gjithëpërfshirëse dhe të integruar.
Leonora Selmani theksoi se Komisioni Qeveritar dhe institucionet shtetërore luajnë një rol vendimtar në njohjen e statusit të viktimave dhe në sigurimin e mbështetjes institucionale. Procesi mbështetet në ndryshimet ligjore për njohjen e statusit, por sfidat kryesore përfshijnë mungesën e dokumenteve për identifikimin e dhunës seksuale dhe vështirësitë në formimin e komisionit. Ajo gjithashtu theksoi kontributin e organizatave në identifikimin e viktimave dhe ofrimin e mbështetjes. Politikat shtetërore po zhvillohen për të tejkaluar këto sfida dhe për të forcuar reagimin institucional ndaj nevojave të viktimave.
Në këtë panel diskutues u shqyrtuan përvojat institucionale, praktikat e mbështetjes dhe koordinimi ndërinstitucional ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave të shoqërisë civile, lidhur me pasojat e dhunës seksuale gjatë luftës















