Mytaher Haskuka (Universiteti i Prishtinës) prezantoi “Efektet afatgjata të ngjarjeve traumatike të luftës në Kosovë në CSPT-n, ankthin dhe depresionin tek studentët”. U analizua lidhja midis ekspozimit ndaj traumës dhe simptomave klinike, si stresi traumati, rieksperienca dhe ankthi.
Brikena Smajli (Qendra e Studimeve Albanalogjike) dhe Ermira Alija (Universitet i Shkodrës) prezantuan “Metamorfoza e dhimbjes: Miti i Niobës si bosht i traumës dhe kujtesës në romani dokumentar të Ag Apollonit”, duke trajtuar figurat e nënave dhe ruajtjen e traumës përmes krijimit letrar dhe mitit.
Diona Visoka dhe Kaltrina Kelmendi (Universiteti i Prishtinës) prezantuan “Ndikimi i traumës historike në justifikimin e sistemit përmes narrativave viktimizuese”. U analizua ndikimi i traumës historike në mënyrën se si njerëzit justifikojnë sistemet e pabarabarta në Kosovë. Narrativat viktimizuese ishin moderues që mbajnë aktive këtë ndikim.
Isa Blumi prezantoi “Hierarkitë e rrënimit: Një antropologji e nënshtrimit të traumës Kosovare (1912–2012)”, duke theksuar spastrimin etnik, atdhedashurinë ndaj vendit dhe zhvendosjen e dhunshme, si dhe krahasuarin e përjetimeve dhe traumës nga gjenerata të ndryshme përgjatë historisë.
Tringa Visoka (Universiteti i Prishtinës) prezantoi “Marrëdhënia midis përvojave traumatike, mbështetjes sociale dhe mirëqenies psikologjike midis familjeve të dëshmorëve të rënë gjatë luftës”. U trajtuan momentet e rënda për viktimat e mbijetuara, situatat ekstreme dhe përjetimin e krimeve të paprecendentë, si dhe rolin e mbështetjes sociale në mirëqenien e familjeve.
Sesioni i tretë kontribuoi në thellimin e debatit akademik mbi dhimbjen, kujtesën dhe rrëfimet e trashëguara, duke reflektuar qasje të ndërthurura nga shkencat humane, sociale dhe shëndetësore.
















