Procesi i mbledhjes, dokumentimit dhe ruajtjes së dëshmive historike është angazhim i vazhdueshëm i IKKL-së. Në këtë kuadër, qytetarë, veprimtarë dhe profesionistë nga fusha të ndryshme vazhdojnë të kontribuojnë me materiale, duke ndihmuar në ruajtjen e kujtesës kolektive.
IKKL priti në takim përfaqësues nga “Autoriteti i Dosjeve” të Shqipërisë, të kryesuar nga znj. Gentiana Sula, të cilët u njohën nga afër me arkivin dhe punët që zhvillohen në IKKL.
Arkivit të IKKL-së iu shtua edhe Fondi i Sylejman Kllokoqit, i cili dorëzoi materiale që dëshmojnë në mënyrë autentike krimet e luftës dhe kontribuojnë në pasurimin dhe ruajtjen e kujtesës historike.
Gjatë këtyre ditëve, IKKL pati kënaqësinë të mirëpresë edhe avokatin Nexhat Xharra, i cili dorëzoi materiale të rëndësishme gjyqësore me vlerë të veçantë dokumentare.
Shqyri Krasniqi nga Makovci dorëzoi materiale që lidhen me procesin e ekshumimit të familjarëve të tij, duke qenë njëkohësisht edhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në procesin e identifikimit të kufomave.
Fotoreporteri i njohur Ridvan Slivova ka nënshkruar procesverbalin e bashkëpunimit me IKKL, duke shënuar fillimin e një partneriteti të ri profesional.
Etnik Berisha ka dorëzuar materiale që i përkasin babait të tij të ndjerë, Ilaz Krasniqi, drejtor i TV Opinioni, duke pasuruar arkivin e IKKL-së me dokumente me vlerë historike dhe mediatike.
Procesverbalin e bashkëpunimit e ka nënshkruar edhe Fadil Rashiti, aktivist i Nënës Terezë, i cili ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në projekte me interes shoqëror dhe historik.
Jahir Berisha ka dhënë dëshminë e tij me shkrim, duke kontribuar në dokumentimin e ngjarjeve dhe përvojave personale me rëndësi për kujtesën historike.
Nga Mitrovica, Bedri Murati ka ndarë dëshmi të rëndësishme lidhur me keqtrajtimin e babait të tij, duke sjellë fakte dhe rrëfime që ndihmojnë në ndriçimin e së vërtetës historike.
Zonja Fahrije Ymeri, mësimdhënëse para dhe pas luftës në Mitrovicë, përmes shkrimit të saj ka rrëfyer përvojën e saj si ish-e helmuar.
Po ashtu, Jeton Gjaka ka dorëzuar materiale me vlerë të veçantë për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
IKKL vlerëson lart kontributin e secilit dhurues dhe shpreh mirënjohje të thellë për besimin dhe bashkëpunimin, në ruajtjen e dëshmive autentike për brezat e ardhshëm.



