Instituti mirëpriti historianin Jusuf Buxhovi, i cili dorëzoi materiale të çmuara dhe përgëzoi IKKL-në për angazhimin profesional në dokumentim.
Së bashku me Kosovare Kelmendin, stafi i IKKL-së zhvilloi hulumtime në arkivin familjar Kelmendi, prej nga Instituti pranoi dokumente të rëndësishme për krimet e luftës.
Në vizitën në Shoqatën “Krimet e Luftës, Gjakova 98/99”, e udhëhequr nga Shkendije Hoda, u diskutua thellimi i bashkëpunimit për mbledhjen e dëshmive të periudhës 1998–1999.
IKKL është pasuruar gjithashtu me kontributet e fotografit Afrim Hajrullahu, i cili dorëzoi librin dhe filmin dokumentar “Kosovarja” si dhe fotografi origjinale, të Mevlyde Mezini-Saraçi, e cila dhuroi librin “Krime që nuk harrohen” dhe dokumente të tjera të vlefshme, të Nexhat Lokut, që dorëzoi fotografi dhe dëshmi nga vitet 1998–1999, dhe të Rrahim Sadikut, gazetar, veteran dhe autor, i cili solli materiale që pasqyrojnë ngjarjet e luftës.
Po ashtu, gazetari i gazetës “Rilindja”, Rexhep Rifati, autor i disa botimeve, dorëzoi materiale që dokumentojnë dhunën sistematike të regjimit serb ndaj tij si dhe librin e tij “Arbëreshët, Fotosinteza e shpirtit tim”.
IKKL shpreh mirënjohje për secilin kontribuues dhe fton të gjithë qytetarët që posedojnë dokumente, fotografi apo dëshmi nga periudha e luftës t’i dorëzojnë në Institut. Çdo material i ruajtur është një hap drejt së vërtetës, drejtësisë dhe kujtesës kolektive.






