Z. Burim Osmani, i cili në momentin e krimit ishte vetëm 17 vjeç, rrëfeu në detaje atë që përjetoi më 15 janar 1999, nga momenti kur forcat serbe hynë pranë shtëpisë së tij, aty ku nisi makineria e terrorit, e deri te vendi i ekzekutimit në “Luginën e Gurit”, ku u gjetën trupat e shumicës së viktimave të kësaj masakre.
Kjo intervistë, e realizuar në vendngjarje, është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të IKKL-së për të mbledhur dëshmi autentike, për të ndërtuar një arkiv të pakontestueshëm të fakteve dhe për të ruajtur kujtesën historike të popullit tonë.
Duke dëgjuar zërin e të mbijetuarve dhe duke dokumentuar rrëfimet e tyre me rigorozitet profesional, ne nderojmë viktimat, fuqizojmë të vërtetën dhe kontribuojmë në drejtësi për brezat që vijnë.



