IKKL ka pasuruar më tej arkivin me rrëfime, dëshmi dhe materiale që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, falë kontributit të qytetarëve të angazhuar në ruajtjen e kujtesës kolektive.
Esat Shala dhe Florim Sinani kanë dorëzuar materiale arkivore që dokumentojnë masakra të kryera nga forcat serbe gjatë luftës, duke përfshirë Masakrën e Makovcit, Rugovës së Hasit, Izbicës dhe të tjera.
TV Prizreni ka nënshkruar me IKKL-në marrëveshjen e protokollit dhe regjistrit për dorëzimin e një sasie të konsiderueshme materialesh autentike që lidhen me luftën e fundit në Kosovë.
Jakup Koxha, që jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka dhënë dëshmi tronditëse për humbjen tragjike të djalit të tij 12-vjeçar, Osman Koxha, i cili, bashkë me katër fëmijë të tjerë, ra viktimë e një mjeti shpërthyes të vendosur nga ushtria serbe, e të maskuar në formë lodre.
Enver Lipaj dhe Rrahime Lipaj, nga fshati Studenicë, komuna e Istogut, kanë dëshmuar për masakrën ndaj familjes Lipaj, ku, në mesin e nëntë viktimave, ishin edhe vajzat e tyre. Ata kanë dorëzuar edhe video-incizime autentike të kësaj masakre.
Qemajl Krasniqi, publicist, ka dhuruar katër libra, monografi mbi luftën në Kosovë, së bashku me dëshmi të tjera që dokumentojnë krimet serbe kundër civilëve shqiptarë në Rahovec.
IKKL shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë dhuruesit dhe fton qytetarët që posedojnë dëshmi, dokumente, fotografi, video-incizime apo kujtime nga periudha e luftës, t’i ndajnë ato me IKKL-në. Çdo material i dorëzuar është një hap drejt të vërtetës historike, një garanci që krimet të mos harrohen dhe një kontribut i drejtpërdrejtë në ndërtimin e drejtësisë për brezat që vijnë.