Sot patëm kënaqësinë të zhvillojmë një takim të frytshëm në MASHT me Ministren Arbërie Nagavci, e cila shprehu gatishmërinë e plotë për të bashkëorganizuar Forumin e dytë Zá n’Kujtesë, me temën “Helmimet e nxënësve në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta”.
Forumi Zá n’Kujtesë, i cili mbahet në nëntor 2025, do të bëjë bashkë figura të shquara ndërkombëtare që në vitet ’90 sensibilizuan opinionin botëror për këto krime të organizuara nga regjimi i atëhershëm, si dhe personalitete vendore që ishin aktorë kyç të ngjarjeve.
Një pjesë e rëndësishme e forumit do të jenë ekspozita dhe rrëfimet personale të viktimave direkte, si dhe dëshmi tjera që ndihmojnë në ndërtimin dhe forcimin e kujtesës kolektive.
Ekipet e IKKL-së dhe MASHT-it do të punojnë ngushtë për ta jetësuar këtë forum të rëndësishëm, duke reflektuar kështu përkushtimin tonë ndërinstitucional për ndriçimin e të vërtetës historike dhe sjelljen e drejtësisë për viktimat.