Sot, Drejtori Ekzekutiv i IKKL-së vizitoi në Prizren Dr. Shan Zefin, përfaqësues i Kishës Katolike në Kosovë.
Gjatë këtij takimi, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të dokumentimit gjithëpërfshirës dhe shkencor të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Drejtori Hetemi nënvizoi vlerën që mbartin materialet, dokumentet dhe arkivat që zotëron Ipeshkvia e Kosovës, e të cilat mund të shërbejnë si burime për ndriçimin e ngjarjeve historike dhe dokumentimin e së vërtetës.
Nga ana e tij, Dr. Shan Zefi shprehu gatishmërinë e Ipeshkvisë për të kontribuar në procesin e dokumentimit të krimeve të luftës, si dhe për të ndihmuar në fuqizimin e kujtesës kolektive dhe avancimin e drejtësisë për viktimat.
IKKL do të thellojë bashkëpunimin me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare që ndajnë misionin e përbashkët për ndriçimin e së kaluarës, ruajtjen e kujtesës historike dhe promovimin e së vërtetës, përmes një qasjeje profesionale, të drejtë dhe të qëndrueshme.