Drejtori i IKKL-së ka zhvilluar një takim me Bacën Imer, kryefamiljar i familjes Deliu nga fshati Abri e Epërme e Drenasit, dhe Besnik Deliun, i mbijetuar i kësaj masakre ku më 26 shtator 1998, forcat serbe ekzekutuan 23 anëtarë të familjes, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.
Masakra e familjes Deliu është një nga ngjarjet më të dokumentuara të luftës, pamjet dhe fotografitë nga vendi i krimit janë publikuar në mediat ndërkombëtare dhe janë paraqitur para institucioneve si Senati Amerikan dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duke kontribuar në ndërgjegjësimin global që çoi drejt intervenimit të NATO-s në pranverën e vitit 1999 në Kosovë.
Gjatë takimit, u diskutua rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike dhe përdorimit të dëshmive të mbledhura nga familjarët për ndërtimin e një dosjeje të plotë institucionale të kësaj masakre. Drejtori i IKKL-së falënderoi familjen Deliu për kontributin e çmuar në zbardhjen e së vërtetës.
IKKL është e përkushtuar të bashkëpunojë me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave për të dokumentuar dhe faktuar krimet serbe të kryera në Kosovë.