IKKL, në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë të Universitetit të Prishtinës, Bibliotekën Kombëtare dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, ka kënaqësinë të njoftojë fillimin e projektit të ri trevjeçar, “Kujtesa e masakrave në Kosovë: dokumentimi i kujtesës së të mbijetuarve të masakrave gjatë luftës 1998–1999.”
I mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, projekti synon të dokumentojë 10 nga masakrat më të rënda të kryera gjatë luftës, përmes realizimit të 1000 audio dhe video intervistave autentike, me të mbijetuar dhe dëshmitarë.
Duke ndjekur qasjen e aplikuar në dokumentimin e masakrës së Krushës së Madhe, ky është projekti i parë i këtij lloji në Kosovë, që në mënyrë të strukturuar dhe të thelluar dokumenton kujtesën e dhunës masive përmes rrëfimeve të drejtpërdrejta. Projekti synon të ndriçojë ndikimin afatgjatë të traumës së luftës, duke u dhënë zë të mbijetuarve dhe duke ruajtur kujtesën kolektive për brezat e ardhshëm.
Kjo iniciativë ndërinstitucionale përfaqëson një përkushtim të qartë etik dhe shkencor ndaj të vërtetës historike, me synimin për të promovuar drejtësinë, forcimin e kujtesës shoqërore dhe përballjen me të kaluarën, në një kohë kur mohimi i krimeve vazhdon të jetë një sfidë serioze për rajonin.