Gjatë javës së kaluar, IKKL-ja zhvilloi takime të rëndësishme dhe pranoi materiale që dokumentojnë periudhën e luftës dhe vuajtjet e popullit të Kosovës. Kontributet e dhëna nga individë dhe profesionistë kanë qenë dhe janë të vlefshme për pasurimin e arkivit të Institutit.
Bashkim Shala nga Kukësi dorëzoi librin “Kronikë Lufte e Qytetit pa Luftë” dhe nënshkroi procesverbalin. Ai premtoi dorëzimin e materialeve shtesë gjatë vizitës në Kukës.
Zija Gashi, profesor i historisë dhe ish-inspektor i arsimit në Kosovë, dhuroi dy libra: “Dhuna dhe Krimet Serbe në Shkollat e Komunës së Prishtinës (mars-qershor 1999)” dhe “Ditët e Tmerrit dhe Shpresës.”
Abdyl Gashi, ish-drejtor i gjimnazit “Sami Frashëri,” dorëzoi raport mbi gjendjen e sistemit paralel arsimor, dokumentacion pedagogjik, si dhe të dhëna për ngjarjet në gjimnaz gjatë viteve 1989-1990.
Qazim H. Berisha, profesor i gjuhës shqipe dhe publicist, dhuroi librin “Kosova në Kapërcell të Historisë.”
Shqipe Gashi Ramadani, pedagoge dhe autore, dorëzoi librin “Shkollat e Mesme të Prishtinës,” që trajton ndryshimet e dhunshme të emrave nga regjimi serb gjatë viteve 1990-1997.
Dr. Agim Bytyçi nga Ferizaj, kontribuoi me materiale që përfshijnë: foto të objekteve shëndetësore të dëmtuara nga forcat serbe, regjistra me emrat e nxënësve të helmuar në shkollat shqipe nga policia serbe, foto nga ambulanca dhe foto të pacientëve gjatë luftës së UÇK-së, një libër historik mbi shëndetësinë në Ferizaj (anglisht-shqip), si dhe incizime të plagosurve gjatë demonstratave, më 28 janar dhe 20 shkurt, 1990.
Rrahman Rexhaj, nga Korisha dhuroi një libër si bashkautor që dokumenton krimet serbe në komunën e Suharekës.
Ismail Xhemajli ndau dëshmi për plagosjen e tij nga policia serbe gjatë protestave të vitit 1981. Në atë kohë ai ishte vetëm 13 vjeç dhe u plagos pas mbarimit të orarit shkollor.
Agron Limani, veteran dhe aktivist nga Krusha e Vogël, dorëzoi një libër si bashkautor që përmban dëshmi për krimet dhe mizoritë serbe ndaj fshatit Krushë e Vogël.
Nexhat Terstena, i burgosur politik si organizator i protestave të vitit 1981, ndau dëshmi për burgosjen e tij, ku fillimisht u dënua me 10 vite burgim, ndërsa më vonë vendimi u reduktua në 5 vite efektiv.
Dr. Myrvete Rexhepi, dha deklaratë si dëshmitare dhe mjeke për krimet serbe në fshatin Celinë.
Bujar Ramadani dha deklaratë si dëshmitar i masakrës në fshatin Celinë.
Naim Gashi, arsimtar, ndau dëshmi për masakrën e Landovicës.
Bahtir Hajdari dha deklaratë-dëshmi për përvojat e tij, si qytetar gjatë luftës.
Hamit Begu, ish i burgosur i luftës, ndau deklaratën e tij.
Esma Morina, ish e burgosur gjatë viteve ’90-ta, dorëzoi vertetimin që dëshmon burgosjen e saj.
Safet Neziri dha dëshmi për vëllain martir Gani Neziri.
Prof. Dr. Agim R. Zogaj, dorëzoi fotografi të një gëzhoje plumbi të gjetur në Ahishte pranë Trumshirëve, ku Brigada 113 e UÇK-së zhvilloi luftime kundër ushtrisë serbe më 14 dhjetor 1998.