Sot mblodhëm akademikë dhe studiues të së drejtës ndërkombëtare për të shqyrtuar natyrën e krimeve të luftës, sfidat në dokumentimin e tyre dhe ndikimin më të gjerë në drejtësi dhe llogaridhënie. Sesioni u moderua me profesionalizëm nga Alban Dafa, ekpert i CDF, i angazhuar në IKKL.
Shikoni sesionin e plotë këtu: fb.watch/xQhBrvVyf0/
Panelistët:
Mathias Holvoet (University of Amsterdam / Universiteit van Amsterdam) – Trajtoi klasifikimin ligjor të krimeve, duke argumentuar se mizoritë e kryera në Kosovë përbëjnë krime kundër njerëzimit dhe jo vetëm krime lufte.
Rudinë Jakupi (Dublin City University) – Paraqiti një analizë feministe mbi dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, duke theksuar sesi narrativat patriarkale dhe stigma kanë margjinalizuar të mbijetuarit në kuadrin ligjor dhe shoqëror.
Diego Nunez & Melanie Klinkner (Bournemouth University) – Prezantuan projektin MaGPIE, një iniciativë për hartëzimin e varrezave masive me qëllim mbështetjen e hetimeve forenzike dhe sigurimin e drejtësisë për personat e zhdukur.
Pikat Kryesore të Diskutimit
Krime Kundër Njerëzimit dhe Njohja Ligjore
Holvoet, theksoi rëndësinë e klasifikimit të saktë ligjor, duke argumentuar se kategorizimi i këtyre krimeve si “krime lufte” nuk pasqyron natyrën sistematike dhe të qëllimshme të dhunës.
“T’i quajmë krime lufte sugjeron se civilët ishin thjesht dëme anësore, kur në të vërtetë ata ishin viktimat e synuara.”
Dhunë Seksuale në Konflikt dhe Politika e Heshtjes
Jakupi, vuri në dukje se narrativat heroike kombëtare dhe strukturat patriarkale kanë penguar njohjen e plotë të të mbijetuarve të dhunës seksuale, veçanërisht burrat dhe ata që jetojnë në zona rurale.
“Pranimi i dhunës seksuale gjatë luftës është parë për një kohë të gjatë si një kërcënim për identitetin kombëtar, duke vonuar kështu drejtësinë për të mbijetuarit.”
Varreza Masive: Urgjenca e Dokumentimit
Nunez dhe Klinkner, theksuan rëndësinë forenzike dhe ligjore të hartëzimit të varrezave masive, duke vënë në dukje se grabitja e varreve dhe operacionet sistematike për zhdukjen e trupave kanë penguar përpjekjet për të siguruar drejtësi.
“Mbledhja e saktë e të dhënave është thelbësore për të kundërshtuar shkatërrimin e provave dhe për të siguruar llogaridhënie.”
Rekomandime Kryesore
Njohje e saktë ligjore e krimeve të kryera në Kosovë, duke i trajtuar ato si krime kundër njerëzimit.
Qasje të fokusuara tek të mbijetuarit, veçanërisht në njohjen dhe trajtimin e dhunës seksuale në konflikt.
Dokumentim forenzik sistematik për të forcuar përpjekjet ndërkombëtare në mbajtjen përgjegjëse të autorëve të krimeve.
Ky panel dha një kontribut të rëndësishëm në përpjekjet e vazhdueshme për dokumentimin, gjykimin dhe sigurimin e drejtësisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.