Sot, në kuadër të prezantimit të raportit njëvjeçar të punës, Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), z. Atdhe Hetemi, u prit në takim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani-Sadriu u njoh nga afër me sfidat dhe arritjet e Institutit në vitin e parë të punës. Ajo shprehu vlerësimin e saj për përkushtimin e ekipit të IKKL-së dhe theksoi se dokumentimi i krimeve të luftës dhe ruajtja e kujtesës historike përbëjnë një detyrë të rëndësishme për të gjithë shoqërinë tonë. Presidentja garantoi mbështetjen e saj të plotë për misionin e Institutit, duke inkurajuar vazhdimësinë e punës në arritjen e drejtësisë dhe në promovimin e kujtesës kolektive.